0 0
Zëvendësuesit natyralë të sheqerit

Zëvendësuesit natyralë të sheqerit

Kuzhina:

    Udhëzimet

    Shpërndaje

    A e keni vënë re sa produkte me etiketa ku shkruhet ‘Natyral” gjenden në markete? Një studim i kohëve të fundit ka treguar se konsumatorët kanë gjithnjë e më shumë tendencën të blejnë ushqime me etiketimin “natyrale” dhe tërhiqen vazhdimisht nga produktet me këtë mbishkrim. Edhe në Shqipëri, rendja pas “natyrales” është kthyer në trend. Për sheqerin, kjo tendencë do të thotë se ëmbëlsuesit artificialë dhe shurupi i misrit me nivel të lartë fruktoze kanë dalë jashtë mode, ndërsa alternativat e larmishme natyrale kanë zënë vendin e tyre.

    Disa prej këtyre produkteve janë ndër më të preferuarit, siç është rasti i mjaltit ndërsa disa të tjerë, siç është sheqeri i arrës së kokosit po kthehen në produkte popullore. Më poshtë do të gjeni listën e ëmbëlsuesve natyralë të hartuar nga AgroWeb, që tregon veçantinë e gjithësecilit dhe mënyrat më të mira të përdorimit në kuzhinë.

    Mjalti

    Mjalti është quajtur shpesh ‘nektari i perëndive’ dhe është përdorur prej shekujsh për të luftuar infeksionet dhe shëruar plagët. Në Shqipëri mund të gjeni disa variete të mjaltit duke nisur nga ai i luleve e deri tek ai i gështenjës. Vlerat e mjaltit janë të panumërta, por kjo nuk do të thotë që ta teproni me mjaltin.

    Ky ëmbëlsues natyral përmban disa sasi ushqyesish, antioksidantë dhe substanca kundër baktereve, virozave dhe inflamacionit. Një studim që analizonte mostrat e 14 luleve zbuloi se mjalti i luleve të hikrrës kishte 20 herë më shumë antioksidantë se mjalti i sherebelës.

    Mjalti i tërfilit (që ndoshta është lloji më i zakonshëm në treg) kishte një sasi mesatare antioksidantësh. Studime të tjera si ai i Universitetit të Kalifornisë, kanë zbuluar se konsumi ditor i mjaltit të luleve të hikrrës, rriste nivelet e antioksidantëve në gjak.

    Studimet konfirmojnë se, atletët që konsumojnë mjaltë kanë nivele më të qëndrueshme afatgjatë të sheqernave dhe insulinës në gjak në krahasim me burimet e tjera të karbohidrateve. Kur të gatuani receta që përmbajnë sheqer, dhe dëshironi ta zëvendësoni me mjaltë, do t’ju duhet të përdorni më pak sasi. Zakonisht një lugë gjelle me sheqer mund të zëvëndësohet me një lugë çaji me mjaltë. Por sasia e ëmbëlsuesit të lëngshëm varet nga kushtet e pjekjes ose temperatura.

    Pavarësisht këtij rekomandimi, kjo nuk do të thotë që ju duhet ta përdorni mjaltin në çdo gatim tuajin. Mentaliteti se “mjalti më bën mirë, ndaj nuk do ta kursej” është i gabuar. Një lugë çaji me mjaltë përmban 20 kalori dhe 5-6 gramë sheqerna. Mjalti është ideal për t’i dhënë ëmbëlsinë natyrale dhe të butë ushqimeve si kosi apo gjalpi arror. Ai është gjithashtu i mirë për salca dhe marinime.
    Shurupi i panjës

    Shurupi i panjës vazhdon të përgatitet në të njëjtën mënyrë si dhjetra vjet më parë, duke zier lëngun e trungut të pemës së panjës. Shurupin mund ta gjeni në formë të thatë, pluhur ose të lëngshme. Shurupi i panjës përmban disa vitamina, minerale dhe antioksidantë, por sasitë për çdo racion janë shumë të vogla. Për shembull një lugë gjelle me shurup panje përmbush 1% të nevojës ditore për kalcium, kalium dhe hekur. Megjithatë, shurupi përmban një sasi të qëndrueshme të magnezit – një mineral që ndihmon në prodhimin e kolagjenit dhe promovon shëndetin e kockave dhe të lëkurës – duke plotësuar 25% të nevojës ditore. Kur vjen puna tek përzgjedhja e shurupit, merrni në konsideratë ngjyrën e tij. Zakonisht shurupi i bërë në fillim të sezonit ka një ngjyrë më të çelët, ndërsa ai i bërë në fund të tij kur rrjedhja e lëngut të trungut ngadalësohet, ka një ngjyrë më të errët. Shurupët në ngjyrë të errët kanë nivele më të larta të mineraleve dhe antioksidantëve. Nëse receta juaj përfshin 4 lugë gjelle me sheqer, mund të përdorni tre lugë gjelle me shurup panje në vend të tij.

    Sheqeri i arrës së kokosit

    Sheqeri i arrës së kokosit bëhet nga lëngu i kokrrave të palmave. Si në rastin e sheqerit të zakonshëm, një lugë çaji i sheqerit të arrës së kokosit përmban 15 kalori dhe katër gramë sheqerna. Sheqeri i arrës së kokosit përmban sasi mesatare ushqyesish, përfshirë thiaminën, hekurin, bakrin, zinkun dhe inulinën që është një karbohidrat ushqyes për bakteret e shëndetshme të stomak.

    Shënim

    Të gjithë ëmbëlsuesit e lartpërmendur janë natyralë, më pak të përpunuar dhe me më shumë vlera se sheqeri i zakonshëm. Kjo nuk do të thotë që ato nuk përllogariten si ëmbëlsues të shtuar. Këto ëmbëlsues nuk duhet t’i konsumoni përtej limiteve të vendosura që për secilin janë: jo më shumë se gjashtë lugë çaji (25 gramë) në ditë për femrat dhe 9 lugë çaji (ose rreth 37.5 gramë) për meshkujt. Mos e teproni me dozat e sheqerit nga burime të ndryshme, dhe mbi të gjitha mos bini në kurthin e mendësisë se atë që të bën mirë duhet ta hash pa kufi./AgroWeb

    (Visited 130 times, 4 visits today)
    i mëparshmi
    Salcë me jogurt
    i ardhshmi
    Amar El Deen
    • 130 Pamje
    • Vështirësia: Mesatare

    Shpërndajeni në rrjetin tuaj social:

    Apo ju vetëm mund ta kopjoni dhe shpërndani këtë link

    Përzgjedh këtë recetë

    You need to login or register to bookmark/favorite this content.

    i mëparshmi
    Salcë me jogurt
    i ardhshmi
    Amar El Deen